Kryesore » 2011 » Maj » 23 » Komuniteti shqiptar online i matematikës
2:06 PM
Komuniteti shqiptar online i matematikës
Ekzistojnë shumë forume shqiptarë në internet, por është vetëm një forum i fuqishëm për matematikë. Ky forum, për dallim nga forumet e tjerë, është mjaft aktiv dhe ka një numër të madh të anëtarëve, sa që lirisht mund të quhet se është si komunitet në vete për matematikë.
MinistryofMath.info është hapur më 25 dhjetor 2010 nga Edonit Rexhepi dhe deri tani ka pësuar një ngritje të kënaqshme të anëtarëve, ku tani ka mbi 700 anëtarë, dhe të aktivitetit në përgjithësi. Anëtarët janë kryesisht dashamirës të lëndës së matematikës, duke përfshirë këtu Profesor Armend Shabanin, studentët e dalluar si Valmir Krasniqin, Manush Mustafën etj. por edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, duke përfshirë këtu nxënësit e dalluar si Endrit Fejzullahun, Hamdi Dervodellin, Dorlir Ahmetin, Arbër Selimin, Fisnik Limanin, Petrit Avdylin etj.

Megjithëse shkenca e matematikës është e gjerë, ekipi punues i forumit është munduar që të vendos disa kategori, të cilat mbase mund të jenë të mjaftueshme për të përfshirë gjëra nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me matematikë. Ekziston pjesa për shkolla fillore, ku ka ushtrime të ndryshme për klasat e ulëta dhe të larta të shkollës fillore, pjesa për shkolla të mesme, ku ka detyra të shumta të postuara nga anëtarët e forumit për të sfiduar të tjerët, apo për të kërkuar ndihmë, pjesa për olimpiadë, ku vendosen detyrat që kanë rënë në garat për matematikë, si dhe ndonjë ushtrim që mund të ndihmojë nxënësit që planifikojnë të marrin pjesë në gara, pjesa për fakultet ku vendosen detyra të ndryshme që përfshihen në planprogramet e fakulteteve që kanë matematikë, pjesa për matematikë të përgjithshme, ku vendosen detyra të shumta që kërkojnë shkathtësi dhe logjikë për zgjidhje dhe pjesa ku vendosen testet e maturës dhe të gjysmë-maturës që kanë rënë më parë si dhe pjesa për detyrat e muajit.

Detyrat e muajit janë disa detyra që propozohen nga administratorët apo nga ndonjë anëtar tjetër i këtij komuniteti dhe zgjidhjet duhet të dërgohen tek administratori Valmir Krasniqi dhe, varësisht nga numri i anëtarëve që dërgojnë zgjidhje, zgjidhjet e dërguara dhe rruga e përdorur për zgjidhje, paraqiten emrat e anëtarëve që kanë marrë më së shumti pikë dhe vendi i parë shpërblehet me një libër. Duhet të theksohet që zgjidhjet e detyrave të muajit postohen edhe në forum në muajin e ardhshëm dhe ceket emri i dërguesit të zgjidhjes. Nëse detyra është dërguar si e zgjidhur në më shumë se një mënyrë, atëherë bëhet paraqitja edhe e rrugëve të tjera të zgjidhjes së po të njëjtës detyrë.

Shpërblimi me një libër për detyrat e muajit mund të paraqes një nxitje për pjesëmarrje në këtë sfidë, por këto shpërblime vështirë që arrihen të mbulohen, për shkak të mungesës së kushteve financiare. Për t’i tejkaluar këto vështirësi, kërkohen ndihma nga kushdo që ka mundësi dhe shpreh vullnetin që të ndihmojë në përparimin e dijes.

Ky forum i matematikës ka gjithashtu LateX, që bën të mundur paraqitjen e veprimeve të ndryshme të shumta matematike se si duken në formën e tyre origjinale, duke e bërë edhe më të këndshme shkruarjen, por edhe leximin e detyrave të shumta. Mbase mund të duket se është vështirë të shkruash me LateX, por administratorët kanë lehtësuar përdorimin e tij, duke vendosur LateX editorin tek veglat që ndodhen gjatë postimit dhe udhëzime se si duhet të përdoret ky editor për t’i paraqitur detyrat.

Ajo që e bën të veçantë këtë forum është mundësia për të marrë ndihmë dhe udhëzime nga anëtarët për pothuajse çdo detyrë në të cilën keni vështirësi: komuniteti është i gatshëm që të ndihmojë duke ua lehtësuar punën në matematikë, shpeshherë duke ju dhënë disa rrugë për një detyrë të vetme, e cila gjë e hijeshon edhe vetë matematikën. Shumë të rinj kanë vështirësi me ndonjë detyrë logjike, por që bashkarisht me komunitetin, duke dhënë ide të shumta, këto vështirësi pothuajse veniten fare dhe arrihet zgjidhja e kërkuar.

Përveç mësimeve dhe detyrave, në këtë forum mund të gjeni edhe lajme për ndonjë garë apo seminar që mbahet për matematikë.

Forumi i lartpërmendur mund të quhet si një vendtakim i talentëve të rinj shqiptarë, të cilët me punën e tyre e mbajnë si mjaft të fuqishëm këtë komunitet, por edhe i të gjithë dashamirësve të matematikës.

Nëse jeni dashamirës të matematikës, ju këshilloj që t’i bashkoheni këtij komuniteti. Shkruani mendimin tuaj në komente për këtë komunitet
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus